Më datë 25.05.2022, në stadiumin e Peqinit u hap sipari i Lojërave Olimpike Peqin 2022 me pjesëmarrjen e pesë shkollave të rrethit : gjimnazet "Zihni Magani", "Mustafa Kemal Ataturk" dhe shkollat 9-vjeçare "Adem Bedalli", "Demir Godelli", Bishqem ku morën pjesë mbi 200 nxënës.
Ky aktivitet u iniciua nga mësuesja Brikena Kosta në bashkëpunim me mësuesit e edukimit fizik të shkollave pjesëmarrëse.
Të ftuar në këtë manifestim sportiv ishin : përfaqësuesja e KOKSH Enkelejda Caushi - drejtore e Akademisë Olimpike, prefektja e prefekturës Elbasan Majlinda Peza, kryetari i bashkisë Peqin Lorenc Tosku si dhe sportistë, ishsportistë, prindër etj.
Ndezja e flakës olimpike u realizua nga ishfutbollisti i skuadrës "Shkumbini", Shpëtim Kateshi.
Lojërat Olimpike i deklaroi të hapura drejtorja e ZVA Peqin Flutura Nuka, e cila në fjalën e saj e vuri theksin në rëndësinë që ka sporti tek fëmijët sot.
Motoja e këtyre lojërave ishte : HIQUNI TELEFONAT FËMIJËVE DHE LËRINI TË LUAJNË.
Në fund, shkollave pjesëmarrëse iu shpërndanë certifikata vlerësimi nga ZVA Peqin.





